Parandalimi dhe Luftimi i Korrupsionit: Kurs Trajnues për të Rinj
Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit janë një prej çështjeve më të rëndësishme në shoqëri. Korrupsioni cenon besimin e publikut në institucionet publike dhe bën që këto institucione të kthehen në funksion të interesave private dhe jo në funksion të interesit publik. Korrupsioni është gjithashtu ndër arsyet kryesore të moszhvillimit ekonomik.
Në rastin e Kosovës, ka kohë që parandalimi dhe luftimi i korrupsionit paraqiten si nevojë dhe urgjencë shoqërore. Për këtë qëllim, deri më tani janë ndërmarrë masa të ndryshme, ku vazhdimisht janë miratuar dhe ndryshuar ligje të shumta dhe janë themeluar mekanizma të ndryshëm. Megjithatë, Kosova nuk ka treguar ende rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Duke e pasur parasysh se përgjegjësinë primare për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit e kanë institucionet e mandatuara për këtë qëllim, angazhimi i gjithë shoqërisë është i një rëndësie të veçantë. Për ta realizuar këtë, është kruciale njohja e konceptit të korrupsionit, njohja me institucionet përkatëse, procedurat e raportimit dhe trajtimi i rasteve të korrupsionit.
Ky modul trajnimi ka për synim dhënien e sqarimeve lidhur me tema të ndryshme që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Duke filluar me definimet bazike në lidhje me korrupsionin, moduli trajton gjithashtu mekanizmat kundër korrupsionit në Kosovë dhe masat adekuate që duhet të ndërmerren për këtë qëllim.
Njëra prej masave më të fuqishme për parandalimin e korrupsionit është sinjalizimi. Të punësuarit në sektorin publik dhe privat shpesh kanë informacione të rëndësishme se një shkelje ka ndodhur, është duke ndodhur apo mund të ndodhë. Raportimi i këtyre informacioneve është thelbësor për luftimin e korrupsionit.
Megjithatë, për shkak të rrezikut të hakmarrjes, të punësuarit mund të hezitojnë të raportojnë. Me qëllim të mbrojtjes së sinjalizuesve nga veprimet hakmarrëse, Kosova ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Për të përfituar nga mbrojtja që ofron ky ligj, njohja me të është thelbësore. Ky modul ofron sqarime të detajuara lidhur me procedurat e sinjalizimit, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe mënyrën e realizimit të kësaj mbrojtjeje.
Në anën tjetër, parandalimi i konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike është një masë thelbësore për ruajtjen e integritetit të institucioneve. Kjo ndihmon në shmangien e situatave ku një zyrtar publik merr vendime në çështje ku ka edhe një interes personal. Moduli do të ofrojë sqarime praktike për identifikimin, raportimin dhe shmangien e konflikteve të tilla.
Përtej kësaj, moduli trajton edhe rëndësinë e transparencës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Përveç aspektit teorik, ofrohen edhe udhëzime praktike për realizimin e transparencës, sidomos në rastet kur institucionet publike hezitojnë të jenë transparente.
Së fundi, moduli analizon gjendjen aktuale të luftimit të korrupsionit në Kosovë dhe përfundon me identifikimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e situatës në këtë fushë.